Çështja e identitetit maqedonas shndërrohet në lojë fjalësh dhe interpretimesh. Historiani Todor Çepreganov nuk e mohon prejardhjen sllave të maqedonasve, megjithatë thotë se ky emërtim mban konotacion përçmues të një fisi dhe jo populli. Madje sipas Çepreganovit, maqedonasit nuk kanë vetëm prejardhje sllave por edhe antike, osmane dhe bizantine. “Sllavë, në aspekt të asaj çfarë na ka ndodhur në shekullin e XIX dhe fillimit të shek XX, është term i cili asocion në një grup fisesh që janë sllavë dhe që e kanë populluar Gadishullin Ballkanik gjithashtu edhe Evropën Juglindore. Por parashtrohet pyetja, nëse e përdor termin sllavë, ku dëshiron të shkojë shkëlqesia e tij..në Bullgari, Serbi, Kroaci, Çeki, Sllovaki, Slloveni sepse këto shtete janë gjithashtu të populluara me popullatë sllave... Populli maqedonas e ka prejardhjen edhe të maqedonasve antik edhe të sllavëve, osmanëve, bizantëve që kanë kaluar në këtë territor”, tha Todor Çepreganov, historian. Sipas Çepreganovit, SHBA-të dhe BE-ja përmes deklaratave të tilla përpiqen të mohojnë ekzistencën e popullit maqedonas dhe të ndryshojnë emrit e shtetit. Megjithatë qasje krejtësisht ndryshe kanë historianët shqiptarë. Vebi Xhemaili vlerëson se nuk ka asgjë fyese për emërtimin e maqedonasve si sllavë pasi bëhet fjalë për një fakt të dëshmuar shkencërisht. “Ata kanë ardhur në këto troje në shekullin e VII, dhe më vonë u themelua shteti maqedonas që nuk ka të bëjë fare me nocionin maqedonas...Prandaj historikisht janë të njohur në mbarë diplomacinë evropianë e botërore si sllavë të Maqedonisë apo sllavë të jugut. Një nivel tejet i ulët, që të protestohet, pasi amerikanët dhe Evropa e di mirë etnogjenezën e tyre, prejardhjen e tyre, dhe formimin e shtetit të Maqedonisë i cili u themelua në periudhën komuniste në krye me Titon”, deklaroi Vebi Xhemaili, historian. Përpjekjet për mohimin e identiteti sllav dhe theksimin e tij në maqedonas antik, filloi që nga ardhja e VMRO së Gruevskit në pushtet, duke u manifestuar edhe përmes projekteve të antikizimit të shtetit, veçanërisht me projektin “Shkupi 2014”. Qëndrimi u ndryshua kryekëput nga ai që presidenti i parë i Maqedonisë Kiro Gligorov, kishte shprehur në Tiranë, në vitin 1992. Gligorov pati hedhur poshtë në mënyrë të prerë prejardhjen antike të maqedonasve, duke deklaruar se Maqedonasit janë sllavë. “Ne jemi sllavë, të ardhur rreth shekullit VI në këto troje dhe nuk kemi kurrfarë lidhje me civilizimin e Aleksandrit të Madh”, deklaroi Kiro Gligorov. Historianët të ndarë rreth identitetit të popullit maqedonas Semra Jakupi